Samstag, 31. März 2018

Fjala artistike në Radio LIRIA / 31 mars 2018



Agim GASHI - Drenica

MALL

S’e di pse sonte
N’shpirt kam kaq mall
Perjashtë i ftoht akull
Brenda digjëm zjarr.

Para Kullës t’Ajfelit
Kujtimet me marrin për dore
Me kthejnë ne atdhe
Ne tokën arbërore.

Me qojne në vendlindje
Me kthejnë ne femijëri
Ne kohën e skamjës
- Por , plot dashuri.

Me shetisin maleve
Majeve te shpatit,
Sikur dikur zbathur
Rrugëve te fshatit .

Me shetisin dhiareve
Krojeve me uji bilur
Fushave t’vendlindjes
Tek vrapoja dikur.

Ah,te kish mundësi
Sonte , Kullën e Ajfelit
Do e kisha ndërruar
Me një lis t‘zabelit?!!!



MIKES

Nuk e di se si me vjen
para sysh shpesh moj Mike,
ti me kronin nën lajthi
- ne një kohë idilike.

Më dëshirë e merrja rrugën
për tek kroi nën lajthi,
zemra ime se si rrihte
sytë e mit tek t'shihnin ty

Netët e gjata te pagjumë
mendjën e kisha gjithmon n'krua,
si nuk gjeta një herë forcë
te të them sa shumë të dua.

Njëqind herë te mallkoj ty
njëmijë herë mallkoj vetën,
Për çdo ditë ishim n'krua
si s'e shuam një herë etjen...!

_______________________________


Ajet SHALA

PËR TY MIKJA IME

Një trëndafile në kopësht sot e mbolla,
Që të heq mallin për ty në largësinë fizike
O e shenjtë me emrin tënd e emërova
Si të isha në gjyqin e zotit më fjalët sublime.

Pranë lules do nxjerr emrin nga zemra si shpend.
Në gonxhet e agimit le të ulet e të më rrëfejë.
Pika loti kur më sjell pas nata me mërzi
Të ti do t’i lëshoj për ta ujitur lotë nga sytë e mi.

Thatë kur të jem, e etja në buzë të më vijë
Në gjethet e tua do ta pijë një pikë kristalore vese.
Dielli rrezeartë vapë kur të më hedhë ballit tim ,
Do ulem nën hijen tënde të më qetsohet pulsi mes zemre.



LUTJE

Më dërgo një varg me puthje
Si gjerdan me xixëllonja
Që të heq peshën nga supe
Se nga ti dua aroma.

Më sill zjarr ku ti po digjesh
Duart zgjat e të deh era!
Bëmë të bëhem pëllumb shtigjesh
A një varg me luleshqerra.

________________________________


Baki YMERI

E MBESHTJELLE NE FJALET E MIA

Nuk e di ciles grua
Ia vodhen krejt mendimet
Një ditë, kur kaploi muzgu
Dhe përnjeherë, mes nesh,
U shuan mrekullitë.
Nisi dëbora e parë
Dhe ranë aq shumë flokë,
Aq sa mund të bien -
Kur të kaplon një valë vetmie.

Të lusja, atëhere, ças për ças:
Eja dhe thuamë se çka mbeti pas
E mbështjellë në dashurinë tingëllore
Apo në dritën e fundit të një ore!

Tani, mbështillu në fjalët e mia
Porsi në mëndafshet 
Që lindja i sjell prore,
Të përqafoj, 
Thuajse përmbi to:
Mrekullitë bëhen hyjnore.



PA FJALË

Porsi Ovidi kam ardhur
Në luginën tënde të ëmbël,
Të ta ndjej ritmin e brendshëm
Duke notuar përmbi shtatin tënd
Të hijshëm, si një fushë dredhzash.

Porsi Ovidi kam ardhur
Në brigjet e këtyre ujërave,
I magjepsur
Nga rrëshqitja e një sirene
Që më kapiti
Që në shikim të parë.

Porsi Ovidi kam ardhur
Në qytetin e kapitjeve të ëmbla
Dhe dëgjoj
Mbi zanoret e fjalëve të mia
Shkrepëtimë lutjesh:
Eja edhe njëherë
T'i shijosh dredhzat 
Porsi në mesverë!

__________________________________


Mevlyde Mezini Saraçi

TË NDJEJ

Ti erdhe në mëngjesin tim
Unë shikoj veten në pasqyrë 
Duart dridhen gota derdhet
Kudo të kërkoj shpirti im
Ngjitem shkallëve ngadalë
Hapa të lehtë më shoqërojnë
Të ndjej e nuk të shikoj
Një hije prapa më ndjekë
Eja qoftë edhe si hije
Më ndjek me hapa ngadalë
Të ndjej aromën tënde
Dua të përqafoj me mall



YLBER PRITJESH

Nëse malli e dashuria më degdisë
Hidhërimin mos ma falë kurrë
Jeta merr krahët e pritjes  në ëndrra
Kam vdekur në pikë të ditës së hënë
E jam ringjallur sërish natën me hënë
Shpresat më jam kthyer në ëndrra
Në ylber pas shiut pranveror
Në lum kur vapa shkrumbon natyrën
Në strehë pritjesh dëshirave të humbura
As plumbi nuk më vret dot
Nga fjala e rëndë plagët kullojnë
Ti pritjen time mos ma lëndo

__________________________________


Ymer NURKA

GJYSMA

Adami, një gjysmë njeriu,
I pari, mbi Botën e vjetër, 
Nga që s’ishte i plotë vetiu,
Nga vetja e shkul gjysmën tjetër.

Adami dhe Eva, dy gjysma,
Të parët, që lindën, veç gjysma,
E gjysmat, që lindën nga gjysmat,
Veç gjysma lindin, si gjysmat.

Kështu, qysh atëherë dhe sot,
Në horizontet e jetës pa skaj,
Gjysma, ndjek gjysmën më kot,
Në kërkimin e gjysmës së saj.

Miliarda gjysma janë bërë,
Prej gjysmës së Adamit në Tokë.
E prapë, po t’i mbledhësh të tërë,
Një njeri, nuk e bëjnë të plotë.



MERAK TRENDAFILI

Vithet topolake, shtatin si biskonjë, 
Herë më hiqesh çupë, herë më mbahesh zonjë,
Herë më puth me buzë, herë më çjerr me thonj,
Si më bën të vdekur, lutesh që të rronj.

Porsi brumë i ardhur, të kërcejnë gjinjtë,
Vij si zog i mardhur, më kthen të florinjtë,
S'di ku t’i çoj sytë, ku t’i hedh të zinjtë?!
Luajmë kuka-fshehti, porsi çiliminjtë.

Syt’ e tu të kthjellur, porsi dy burime,
Buza ime e etur, ah, moj buza ime!
Si prushi të dogji, ah, një buzërubine!
Nën një rreze ylli, një mijë përqafime.

Unë fryja si flladi, ti si erë e vrulltë,
Rrithte pik'e mjaltit, mbi ëndrrën e tultë,
Porsi qelibari, shkëlqejnë ato pulpë,
Merak trëndafili, tretur mbi një lulkë.

Floku valë-valë, derdhej përmbi supe, 
Unë, me huqe djali, ti, me naze çupe,
Ti, më the një fjalë, unë, të thashë një lutje,
“Pa më shuar mallin, s'do të ikësh tutje!”

_________________________________


Gonxhe Letmi Begisholli

BUKURITË E ASAJ ANE

Bukuritë e asaj ane
më shfaqen kudo
me ato jetoj çdo ditë
në tisin e syve 
ruaj freskinë

Për atë lum
për atë liqe
shpesh lotët më rrjedhin rrëke

për fusha e për male
mbolla kujtime prore

në atë tokë arbërore
ku mbjella fëmijërinë
lojën e rinisë

Unë bijë e asaj ane
tash mërgimtare më thonë...



IKJE PAKUFI

Ika unë,ike edhe ti
ata ende dëshirojnë të ikin
rradha prek në rrënjë
Mollën e kuqe...

Trolli rrënqethet
pa njohje motesh
pa barometër...
hapat ku të ndalen
në "ëndrrën e bardhë"!

Shtegtim mes vijave të kuqe
me valën e lumit prej "fatit"
drithërimë këmbësh
mbi dhembjen(që rëndon)
vuajtja mbi samar
shpirti peshon
sytë s'kanë më as lot

Atdheu përpëlitet
me "gripin e ri "
drejt europës...!?

Fëmijët i humbën lodrat
Abetaren lënë në klasë
shkronjat shkruajnë nëpër duar
Kosovë e dashur të duam!

Shpirtërat prehen me lot
buzëqeshje e dhembshme
si prarimi i Diellit
apo zbehja e yjeve në ikje
ikje pakufi....

Fati i popullit tim
gjithmonë mbetet jetim
ikje në pakthim....!

__________________________________


Mentor THAQI

AI VET!
(Dëshmorit të Kombit - Tahir Sinani)
 
Përtej Çafë Prushit,
tej-përtej Korabit,
në Konçull
a në Kallavaja t´Junikut,
i Madh në Hapa,
fjala zjarr,
shkreptëtimë plumbi,
AI vet, i Madhi
e hija pas tij
Tahir Sinan Shqipnia!
 
Po cili s´ía dëgjoi fjalën
e kush s´i dha bekimin,
Malsorit Kreshnik?!
 
Ah, Shqipnia ime
në ballë prej veri,
si flakë vetëtime,
nxjerrë dy fjalë nderi:
- E rrita për Tokën,
për Tokën e të parëve,
po, ai më nderoi Votrën,
Ai vet, Legjenda Shqiptare!



LABES SIME! 
 
Këmbëzbathur, bregut t´detit,
Shtatëhedhura lozonjare,
dridhet Joni prej sikletit,
don t´përgëdhelë me valë tinzare! 
 
Jo, nuk ka faj Joni shkretë,
vapë e verës, përcëllon,
kur t´sheh gjoksin, ah medet,
nga meraku, ujin e vlon! 
 
Këmbëgjatë moj, si sorkadhe,
lëkurëhollë si mazë e qepës,
ah medet, bela e madhe,
si ti gjejë unë derman vetes?!

Buza jote si qershitë,
kur më piqen në Gjirokastër,
dhëmbtë e bardhë, natën bëjnë dritë,
si ingji, bilur të pastër! 
 
Në Sarandë, në Orikum,
t´kam zënë pritë, vendit nuk luaj,
si Hyjneshë moj në Butrothum,
qesh një herë, sa t´duash t´paguaj! 
 
N´Kala t´Borshit o në Fterrë,
t´lë takim, aty më ke,
o më vrit moj, o më merr,
n´gjirin tënd një natë të fle! 
 
Shkrumb u dogja prej sevdasë,
Labja ime, shpirtë o xhan,
jo as Flladi i Llogarasë,
s´më flladitë, ti m´bën derman! 
 
Jo qebesa, as Syri i Kaltër,
Syrit tënd s´i del përballë,
t´puthë një herë moj, marrsha malet,
seç më shkoi koka vërdallë!!! 

__________________________


Musa JUPOLLI

PRISHTINA IME

Prishtina na lindi në emër të gjeografisë
n'literaturën e ndaluar shekuj me radhë
aktorë e komedianë në skenë fshehurazi
poeti unë n'aromë jete me shpresë thash
Ulissysse  në rikthim është

Prishtina ime,
Veç me lot do të krijohej një lum , lumi ynë
Lumin na e shkelën, shkelën mbi lotët tanë
Pranvera më nuk vjen, edhe zogjtë qajnë
për muzikën tënde lum-loti i kryeqytetit tim

Prishtina ime,
Aty në kopshtin tënd një vashë e bukur
Zonjë qytetare, elegante, pamje Hyjnore
në shpirt mban ëndrrën tënde të bukur
në qiellin e kaltër shpresa e humbur

Prishtina ime,
Lum-loti im kush ta zëri frymën
Pema ka mbet në vetmi e vetme është
dhe ka frikë se të gjitha shoqet ja kanë pre
Poema ime, lumi e pema qajnë me lotët e mi !



SYTË E SAJ

Sy të zezë, të mrekullueshëm
mollëzat e qitura plot shpresënjë filozofi madhore
bukuria e stilit, bukuria e gjuhës
e këndshme deri në dehje
rrudhat e rilindjes
nga dielli i marrshëm
një veshje e thjeshtë pranverash të vonuara
pa dashur ta zbulosh bukurinë e pafundme
si një fidanishte menafere

_____________________________________


Imri TRENA

PËR TY JAM KOSTANDINI

Për ty jam Kostandini,
i ngritur prej balte,
i rënduar nga betimi
i fjalës së dhënë!
Kostandin dhe Besnik.
dy emra burrërie,
me fjalën e shenjtë Besë,
lidhur me një fije fisnikërie!



DËGJOMË

Nëse mendon se gënjej
thuama,
Nëse mendon se qaj,
hesht
Nëse sé di sa të dashuroj
pyetmë
Nëse të dhimbsem se jam vetëm
Eja!

________________________________


Izri REXHA

KUR LIND DIELLI

Në mëngjes rrezja sikur fliste, 
Cilën dëshirë do ta nxitë sot?
Një herë isha i dehur në mes të dyshimeve,
Me unin tim në jetë në sfilitje…

A do të shkoj këtë të diel në shëtitje
Apo letë shkëlqejë një ide tjetër si kristal ,
Ah, ç’më ikte mendja te vendi im,
Me fjalë magjie më ngucte një përjetim.

Mundohesha ta ndal të harlisurin dyshim, 
Të mos e zgjoj të vjetrin ngacmim,
Pa vetëdije dëgjoja zërin që thërriste,
Nën lëkurën time të shqetësuar më nxiste...

Cilën ndjenjë do ta mjaltos sot,
Që kuptimi im larg të freskohet,
Nga tregu i parë i ideve të ndahem,
Apo e humba fatin, që në mëngjes sikur më zgjoi...

Rruga, ishte e largët, nuk mundja të ndalem...
Ishte një çast që më merrte të çmallem,
Dhe përsëri sytë sikur nga gjumi hapa,
Gjethet nga pemët fluturonin hapa-hapa...



MËSUESIT TIM, GËZUAR 7 MARSIN !

në çdo dritare varej një shkronjë,
në çdo fjalë një fotografi,

në çdo fjali një poezi,
paragrafi ishte një tregim,

nga ç‘do tekstë një histori,
në çdo fletë vinte një jetë..

kujtoj mësuesin tim…
sot që jeton në të vjetrën shtëpi....

unë bëj për të një urim,
fjala mbeti te unë me vlerë…

___________________________


Besnik GASHI

UNË QE BABËN E KAM DËSHMOR

Atë ditë baba,
Kur more pushkën,
Me the: mos u merzit bir,
Se do e fitojmë luftën!

Edhe nese unë, me the;
Nese do vdes për liri,
Mos u merzit, bir,
Se i lir do jetosh ti!

Me the: më kurr,
Nuk do kem nevojë gurbetin,
Por, çka po ngjet tash,
Me keta qe na udhëheqin?!

Mua ndoshta nuk do me kesh,
Por, shteti jonë do funksionoj,
Asnjë t´varfer s´do ket,
E gjithë çka do lulezojë!

Po jo, babi im jo,
Ti ike námshim,
E mua nuk mu pre rruga,
Prapë mergimtar, n´mergim!

Ata që dje ishin më ty,
Po fati mbetën gjall,
Ato që i thanë n´betim,
Sot thonë: ishin vetëm fjalë!

Kur kujtoj fjalët e pleqve,
Sa nuk me del flaka,
Kur thonin: 
Atë që s'e vret lufta,
E vret Paqa!

Copa po dojn me u ba sot,
Shokët e tu për karrigë,
E neve s´na mbetët tjetër, baba,
Vetë nga ky vend me ik!

Ulur në gjunjë,
Para varrit tand, babai im,
Më fal qe më duhet prapë te ik,
Rehati t´kerkojë n´mergim!

Me zemër te thyer,
Marr plaçkat n´dorë,
Unë biri yt Kosovë,
Unë, që babën e kam deshmor!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen