Mevlyde Mezini Saraçi, u lind më 15.12.1954, në Mitrovicë, në një familje qytetare me kushte mesatare ekonomike.
Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, ndërkaq studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Studimet master, Menaxhimi i Emergjencave i kreu ne Kolegjin Universitar “Biznesi” në Prishtinë.
Në aktivitetin politik e humanitar është inkuadruar në vitin 1989.
Në muajin mars të vitit 1998, është zgjedhur kryetare e Këshillit Komunal për Ndihma Emergjente në Gjakovë, për të strehuar të dëbuarit nga zonat e luftës dhe për furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në vitin 1998-2000 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Për shkak të aktivitetit të saj politik e humanitar është burgosur nga policia serbe, në Gjakovë më 1 qershor 1998 dhe ka vuajtur dënimin në burgun hetues të Lipjanit deri më 4 dhjetor 1998.
Është gruaja që i ka dërguar arkivolet në Drenicë, për Komandantin legjendar Adem Jashari, familjarët Jashari dhe të gjithë të rënët në Betejën e Prekazit.
Para se të burgosej ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “At Gjergj Fishta” në Bishtazhin.
Në vitin 2000-2001, ka punuar si zëvendës drejtoreshë në Drejtorinë për teknologji informative në Qeverinë Komunale në Gjakovë.
Prej vitit 2001 - 2003 dhe 2006 - 2007, ka qenë Drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Gjakovë.
Në vitin 2001- 2004 ka qenë Deputete e Kuvendit të Kosovës.
Është shkrimtare dhe autore e librave:
1. “Sytë e Pranverës”- poezi, 2000
2. “Ndoshta më s’ka kuptim” , poezi për fëmijë, 2002
3 “Kur jeta duhej jetuar” 2003, roman
4.“Çelësi është diku larg”, 2004, poezi
5.“When life has to be lived” 2012, roman në gjuhën angleze
6.“Në rrugëtim me Yllka Domi”, bashkë autore, 2013
7.“Ditëlindja e nënës”, dramë për fëmijë, 2013
8. “Jeta është e pamatur” Përkushtime, 2015
9. “Ledhatim pritjesh”, Poezi, 2015
10.“Për ty”, Poezi, 2015
11.“Murana” roman, 2015
12.“Lot i zemrës “Poezi, 2016
13. “Panoramë e poetëve”,2016
14.“I flas heshtjes”, Poezi, 2016
15. “Ç‘faj ka vargu”, Poezi, 2017
16. “Dhembje që vret” Antologji, 2017
17. “Simfoni jete”, Poezi, 2017
18. “Nga këndi shkrimor”, 2018
19. “Oazat e shpirtit”, Poezi, 2018
20. “Përthekim kohësh” Poezi, 2018
Është anëtare e Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, 2002
2004, Është Ambasadore e Paqes Universale në Botë
2007, Qytetare nderi e Lushnjës
Është shpallur “Gruaja shqiptare e vitit”, 2012, Vlorë
Është anëtare e Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”
Është kryetare e Qendrës Kombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova”
Anëtare e kryesisë së Bashkimit të Shoqatave të Shkrimtarëve Shqiptarë
Është Veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
_____________
Epopeja e Prekazit
Kushtuar heronjve Adem,
Shaban e Hamëz Jashari
Ky komb e ky popull vuan nga Serbia
Po i plagosë e po na i vret djemtë e ri
Vendin vend nuk po ia lë shqiptarit
Me urti kuvendonte bacë Shabani
Gju më gju në odë si babai me të bijtë
Kurrë këtë tokë s’do t’ia lëmë shkaut
Pleq e të rinj do të luftojmë për atdhe
Besa besë në përqafim u besatuan
Rrokën armët e dhanë kushtrimin
Lajm i madh u përhapë në krejt vendin
Komandant Adem Jashari priu i pari
Sa shumë u frikësua shtriga Serbi
Krejt në çelik u veshën shkijet
E me tanke u drejtuan në Prekaz
Menduan se e kanë të lehtë
Por hasën në trima si shqiponja
I madh e i vogël i gostitën me plumba
Deri sa e shkrinë një batalion ushtarësh
Bacë Shabani, Adem e Hamëz Jashari
I dhanë shqelmin shtetit të Serbisë
Shumë heronj dha kjo familje
Ballë për ballë në luftë me një ushtri
Sa shumë dhembje aq krenari shtoi
Krejt Kosova në këmbë u ngrit
I bashkuan fjalët për qëndresë
Nuk lëmë kurrë pa u hakmarrë
E pa e mbrojtur këtë vend të shenjtë
Se për këto ditë linden trimat
Të ngrehin pushkët për liri
Kurrë s’do të na sundoj shkinia
Atdheu ynë do të buzëqeshë në liri
Prekazi u bë qendër e heroizmit
Vend frymëzimi për çdo njeri
Anembanë botës vijnë përkulen
Në Prekazin e heronjve e heroinave
Që ia sollën Kosovës lirinë
Puhi kujtimesh
Më miklon puhia e kujtimeve
Kur fluturat sodisnin pranverat
Me krahë lëmonin portretin tim
Unë në kërkim të petaleve të luleve
Mbështetur në rrënjë trëndafilash
Nuk i ndjeja gjembat që gjembonin
Pasi dehur isha nga kënga e bilbilit
Përgjatë shëtitjes në peizazhin e blertë
Praruar nga rrezet e arta të diellit
Dashuria
Dashuria ka katër stinë të lindjes
Në secilën stinë dashuria lindë ndryshe
Në pranverë me lule plotë aromë
Në verë me vapën përvëluese
Në vjeshtë lindja sjellë frytet e shpirtit
E në dimër vjen si jorgan i bardhë
Dashuria kur lindë nuk njeh moshë
Përherë rilindë stinëve e nuk plaket
Nuk vesh rroba as nuk mbathë këpucë
Shëtitë botën e kthehet për një çast
Fluturon qiejve me krahët e shpirtit
Dashuria puthë foshnjat e sapo lindura
Fëmijët bonjakë e të pashpresë
Dashuria puthë ballin e vdekur të jetës
Puthë vijën e horizontit zogjtë në fluturim
Dashuria puthë sytë e etjes e të mallit
Përkëdhelë plagët e nënave të pikëlluara
Dashuria nuk ka ngjyrë aromë as sy
Por i sheh i ndjenë i prekë poret e jetës
Dashuria nuk blihet e as shitet në pazar
Dashurinë e gjeni kurdo që ju dashuroni
Vetëm në urrejtje nuk banon dashuria
Dashuria lindë edhe kur lindja perëndon
Mendime të krisura
Në tavolinën e kujtimeve
Përplasen mendime të krisura
Hëna më zgjon nga ëndrra
Ngrit gotën në dolli me yjet
Etja ma zë frymën e më ngulfatë
Shi me rrebesh i përplasë kohët
Nga brendia e shpirtit nxjerrë hukamë
As loti nga syri nuk pikon si më parë
Në këtë natë të gjatë trishtimi
Jeta merr pamjen e vjeshtës
Thinjat e heshtjes plakin çastet
Mbështetur në dritaren e vjetër
Numëroj kockat e shekujve
Duke arnuar shpresat e vonuara
Oazat e shpirtit
Mos fol për ëndrrat e krisura
As puhinë e moteve të thinjura
Fjalës mos ia shtrydhë palcën
Lëri le të ndizen dritat e mallit
Tuneleve të errëta të jetës
Mos e shkel stinën e blertë
Oazave të harruara të shpirtit
Plagët shekullore mos mi prek
Kullojnë vuajtje pritje pa fund
Edhe ngjyrat e qiellit u grisën
Nga oqean i vërshuar lotësh
Dyert e hapura presin mëngjesin
Se nata patjetër duhet të shkojë
Ta përqafojë pjesën tjetër të globit
Dritën e syve le të ma kthen agu
Edhe pse kam drojë derisa të gdhin
Por dua ta ndjej ditën e bardhë
Të cilën e njohin vetëm engjëjt
Pesëqind e pesëdhjetë vite
Nga lartësia lavdia e pavdekësisë
Gjergj Kastrioti hero i kombit
Organizator i Kuvendit të Arbrit
Prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës
Në fuqinë e shpirtit njerëzor triumf
Shkathtësitë dhunti hyjnore
Legjendë mbete emblemë në histori
Në mbamendjen tonë i gjallë prore
Në muze ende shpata jote shkëlqen
Përmendorja jote na përshëndet
Ti që zbardhe vlerat e lirisë së kombit
Ngrite lartë emancipimin evropian
Jeh i shqipes në qiellin e dritës
Na shoqëron nga do që shkojmë
Ti që identifikohesh me Shqipërinë
Kur ndalohet fjala
Mornica hidhen në lëkurën e rryer
Vetëm bebëzat e syve në heshtje flasin
Në pikturën e shpirtit pikturoj dashurinë
Ngjyrat akuarel rrjedhin qerpikut tim
Bloza e ka kapluar pritjen e madhe
Rrugët e zemrës shndërruar në labirint
Këmbët zënë në rrjet merimange
Aty ku fjala ndalohet vdesin ëndrrat
E shtrigat me fshesa ndjekin shkronjat
Pasi kohët u përzien me maskarenj
Zvogëlohen shpresat e ritmit të vonuar
Sa të shkrin bora e bulëzon gjelbërimi
Plaket rrjedha e rrudhave të jetës
Shën Tereza
Dritë e diellit shkëlqeu në sytë e fëmijëve
Kur iu hodhën në përqafim Shën Terezës
Dashuria fluturoi me krahët e shqiponjës
Humanizmi u shpërnda kudo nëpër botë
Nëna e madhe i lumturoi skamnorët e uritur
Me përqafimin e shpirtit duke i përkëdhelë
Plagët e plasaritura ua mjekoj me vepra humane
Që të jetojnë të gjithë të lumtur e të barabartë
Lum shqiptarët që rritën një bijë kaq bujare
Një shenjtëreshë që i përkulet mbarë globi
Ti je shembulli më i mirë si shprehet dashuria
Bijë nënë motër e çmuara Shën Terezë
Ti yll drite e pashuar që jeton në përjetësi
E lumja e Shenjta Nëna Terezë!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen