Sejdi N. Gashi u lind më 12 shkurt 1947 në Peran të Besianës-Kosovë. Familja e tij vjen nga fshati Buzëllap ( Doberdol) i Besianës të cilët ishin shpërngulur në Turqi në vitin 1925. Pas dy vitesh qendrimi ne Turqi, kthehen dhe vendosen në Prishtinë ku jetojnë edhe tani. Shkollën fillore,Shkollën Normale dhe Shkollën e Lartë i mbaron në Prishtinë, kurse Institutin e Getes për gjuhë gjermane në Frakfurt të Gjermanisë. Ka punuar në arsimimin dhe edukimin e shumë gjeneratave në Keçekollë dhe Prapashticë të Gallapit dhe në Magurë të Lipjanit. Gjatë kësaj kohe u dallua në punën edukativo arsimore me nxënës, në aktivitetet e lira jashtëmësimore, ka dhën kontibut të vleshëm në aktivitete atdhetare, shoqërore, kulturore dhe sportve. I emruar nga organet arsimore të Kosovës, nga viti 1989 punon si mesues në Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues në qytetet Gelsenkirchen, Münster, Bocholt, Dorsten, Herten, Varendorf e Recklinghausen të Landit Vestfalia Veriore të Gjermanisë. Edhe në Gjermani, Sejdi Gashi vazhdoi punën me përkushtim të madh në arsimimin dhe ediukimin e nxënësve mërgimtarë. Është një nga themeluesit të Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë "Naim Frashëri" në Gjermani. Ky institicion profesional i mësuesve shqiptarë në Gjermani që nga viti 1990 organizon mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe është i pranuar nga organet arsimore gjermane. Sejdi Gashi është bashkautor i teksteve shkollore për mësimin plotësues :
Monografi:Qendresa, 1995
Abetare për fillestar në mërgim, 1996
Plotësori i Abetarës, 2000
Leximi im 3/4, 2000
Fletore pune për leximi im 3/4, 2000
Monografi :Shkolla shqipe në Gjermani, 2000
Monografi:Komuniteti Shqiptar ne Gelsenkirchen - Gjermani,2012
Monografi: Ndergjeja kulturore - Düsseldoff , Prishtine, 2015
Shkolla Normale e Prishtines. Brezi i vitit 1967, Prishtine, 2017
Është bashkëpuntorë i gazetave "Rilindja", "Bujku", " Bota sot" dhe "Zëri i ditës" ku shkruan për problemet e mërgatës dhe veprimtarinë e shkollës shqipe në Gjermani. Bashkëpunon aktivisht edhe me revistën për fëmijë në diasporë "Doruntina". Që nga emigrimi në Gjermani në vitin 1989 është aktiv në organizimin e jetës shoqërore, kulturore dhe sportive të mërgimtarëve në qytetin ku jeton edhe më gjërë. Më rastin e pensionimit, per punen e tij më përkushtim në arsim dhe aktivitete atdhetar, kulturore e sportive; iu dha Mirenjohje nga MASHT e Republikës së Kosovës. Tani si pensionist jeton në Prishtinë.
S’e di pse sonte N’shpirt kam kaq mall Perjashtë i ftoht akull Brenda digjëm zjarr.
Para Kullës t’Ajfelit Kujtimet me marrin për dore Me kthejnë ne atdhe Ne tokën arbërore.
Me qojne në vendlindje Me kthejnë ne femijëri Ne kohën e skamjës - Por , plot dashuri. Me shetisin maleve Majeve te shpatit, Sikur dikur zbathur Rrugëve te fshatit . Me shetisin dhiareve Krojeve me uji bilur Fushave t’vendlindjes Tek vrapoja dikur. Ah,te kish mundësi Sonte , Kullën e Ajfelit Do e kisha ndërruar Me një lis t‘zabelit?!!! MIKES Nuk e di se si me vjen para sysh shpesh moj Mike, ti me kronin nën lajthi - ne një kohë idilike. Më dëshirë e merrja rrugën për tek kroi nën lajthi, zemra ime se si rrihte sytë e mit tek t'shihnin ty Netët e gjata te pagjumë mendjën e kisha gjithmon n'krua, si nuk gjeta një herë forcë te të them sa shumë të dua. Njëqind herë te mallkoj ty njëmijë herë mallkoj vetën, Për çdo ditë ishim n'krua si s'e shuam një herë etjen...! _______________________________ Ajet SHALA PËR TY MIKJA IME Një trëndafile në kopësht sot e mbolla, Që të heq mallin për ty në largësinë fizike O e shenjtë me emrin tënd e emërova Si të isha në gjyqin e zotit më fjalët sublime. Pranë lules do nxjerr emrin nga zemra si shpend. Në gonxhet e agimit le të ulet e të më rrëfejë. Pika loti kur më sjell pas nata me mërzi Të ti do t’i lëshoj për ta ujitur lotë nga sytë e mi. Thatë kur të jem, e etja në buzë të më vijë Në gjethet e tua do ta pijë një pikë kristalore vese. Dielli rrezeartë vapë kur të më hedhë ballit tim , Do ulem nën hijen tënde të më qetsohet pulsi mes zemre.
LUTJE Më dërgo një varg me puthje Si gjerdan me xixëllonja Që të heq peshën nga supe Se nga ti dua aroma. Më sill zjarr ku ti po digjesh Duart zgjat e të deh era! Bëmë të bëhem pëllumb shtigjesh A një varg me luleshqerra. ________________________________
Baki YMERI E MBESHTJELLE NE FJALET E MIA Nuk e di ciles grua Ia vodhen krejt mendimet Një ditë, kur kaploi muzgu Dhe përnjeherë, mes nesh, U shuan mrekullitë. Nisi dëbora e parë Dhe ranë aq shumë flokë, Aq sa mund të bien - Kur të kaplon një valë vetmie. Të lusja, atëhere, ças për ças: Eja dhe thuamë se çka mbeti pas E mbështjellë në dashurinë tingëllore Apo në dritën e fundit të një ore! Tani, mbështillu në fjalët e mia Porsi në mëndafshet Që lindja i sjell prore, Të përqafoj, Thuajse përmbi to: Mrekullitë bëhen hyjnore. PA FJALË Porsi Ovidi kam ardhur Në luginën tënde të ëmbël, Të ta ndjej ritmin e brendshëm Duke notuar përmbi shtatin tënd Të hijshëm, si një fushë dredhzash. Porsi Ovidi kam ardhur Në brigjet e këtyre ujërave, I magjepsur Nga rrëshqitja e një sirene Që më kapiti Që në shikim të parë. Porsi Ovidi kam ardhur Në qytetin e kapitjeve të ëmbla Dhe dëgjoj Mbi zanoret e fjalëve të mia Shkrepëtimë lutjesh: Eja edhe njëherë T'i shijosh dredhzat Porsi në mesverë! __________________________________
Mevlyde Mezini Saraçi TË NDJEJ Ti erdhe në mëngjesin tim Unë shikoj veten në pasqyrë Duart dridhen gota derdhet Kudo të kërkoj shpirti im Ngjitem shkallëve ngadalë Hapa të lehtë më shoqërojnë Të ndjej e nuk të shikoj Një hije prapa më ndjekë Eja qoftë edhe si hije Më ndjek me hapa ngadalë Të ndjej aromën tënde Dua të përqafoj me mall
YLBER PRITJESH Nëse malli e dashuria më degdisë Hidhërimin mos ma falë kurrë Jeta merr krahët e pritjes në ëndrra Kam vdekur në pikë të ditës së hënë E jam ringjallur sërish natën me hënë Shpresat më jam kthyer në ëndrra Në ylber pas shiut pranveror Në lum kur vapa shkrumbon natyrën Në strehë pritjesh dëshirave të humbura As plumbi nuk më vret dot Nga fjala e rëndë plagët kullojnë Ti pritjen time mos ma lëndo
__________________________________ Ymer NURKA GJYSMA Adami, një gjysmë njeriu, I pari, mbi Botën e vjetër, Nga që s’ishte i plotë vetiu, Nga vetja e shkul gjysmën tjetër. Adami dhe Eva, dy gjysma, Të parët, që lindën, veç gjysma, E gjysmat, që lindën nga gjysmat, Veç gjysma lindin, si gjysmat. Kështu, qysh atëherë dhe sot, Në horizontet e jetës pa skaj, Gjysma, ndjek gjysmën më kot, Në kërkimin e gjysmës së saj. Miliarda gjysma janë bërë, Prej gjysmës së Adamit në Tokë. E prapë, po t’i mbledhësh të tërë, Një njeri, nuk e bëjnë të plotë.
MERAK TRENDAFILI Vithet topolake, shtatin si biskonjë, Herë më hiqesh çupë, herë më mbahesh zonjë, Herë më puth me buzë, herë më çjerr me thonj, Si më bën të vdekur, lutesh që të rronj. Porsi brumë i ardhur, të kërcejnë gjinjtë, Vij si zog i mardhur, më kthen të florinjtë, S'di ku t’i çoj sytë, ku t’i hedh të zinjtë?! Luajmë kuka-fshehti, porsi çiliminjtë. Syt’ e tu të kthjellur, porsi dy burime, Buza ime e etur, ah, moj buza ime! Si prushi të dogji, ah, një buzërubine! Nën një rreze ylli, një mijë përqafime. Unë fryja si flladi, ti si erë e vrulltë, Rrithte pik'e mjaltit, mbi ëndrrën e tultë, Porsi qelibari, shkëlqejnë ato pulpë, Merak trëndafili, tretur mbi një lulkë. Floku valë-valë, derdhej përmbi supe, Unë, me huqe djali, ti, me naze çupe, Ti, më the një fjalë, unë, të thashë një lutje, “Pa më shuar mallin, s'do të ikësh tutje!”
_________________________________ Gonxhe Letmi Begisholli BUKURITË E ASAJ ANE Bukuritë e asaj ane më shfaqen kudo me ato jetoj çdo ditë në tisin e syve ruaj freskinë Për atë lum për atë liqe shpesh lotët më rrjedhin rrëke për fusha e për male mbolla kujtime prore në atë tokë arbërore ku mbjella fëmijërinë lojën e rinisë Unë bijë e asaj ane tash mërgimtare më thonë...
IKJE PAKUFI Ika unë,ike edhe ti ata ende dëshirojnë të ikin rradha prek në rrënjë Mollën e kuqe... Trolli rrënqethet pa njohje motesh pa barometër... hapat ku të ndalen në "ëndrrën e bardhë"! Shtegtim mes vijave të kuqe me valën e lumit prej "fatit" drithërimë këmbësh mbi dhembjen(që rëndon) vuajtja mbi samar shpirti peshon sytë s'kanë më as lot Atdheu përpëlitet me "gripin e ri " drejt europës...!? Fëmijët i humbën lodrat Abetaren lënë në klasë shkronjat shkruajnë nëpër duar Kosovë e dashur të duam! Shpirtërat prehen me lot buzëqeshje e dhembshme si prarimi i Diellit apo zbehja e yjeve në ikje ikje pakufi.... Fati i popullit tim gjithmonë mbetet jetim ikje në pakthim....!
__________________________________
Mentor THAQI AI VET! (Dëshmorit të Kombit - Tahir Sinani) Përtej Çafë Prushit, tej-përtej Korabit, në Konçull a në Kallavaja t´Junikut, i Madh në Hapa, fjala zjarr, shkreptëtimë plumbi, AI vet, i Madhi e hija pas tij Tahir Sinan Shqipnia! Po cili s´ía dëgjoi fjalën e kush s´i dha bekimin, Malsorit Kreshnik?! Ah, Shqipnia ime në ballë prej veri, si flakë vetëtime, nxjerrë dy fjalë nderi: - E rrita për Tokën, për Tokën e të parëve, po, ai më nderoi Votrën, Ai vet, Legjenda Shqiptare!
LABES SIME! Këmbëzbathur, bregut t´detit, Shtatëhedhura lozonjare, dridhet Joni prej sikletit, don t´përgëdhelë me valë tinzare! Jo, nuk ka faj Joni shkretë, vapë e verës, përcëllon, kur t´sheh gjoksin, ah medet, nga meraku, ujin e vlon! Këmbëgjatë moj, si sorkadhe, lëkurëhollë si mazë e qepës, ah medet, bela e madhe, si ti gjejë unë derman vetes?! Buza jote si qershitë, kur më piqen në Gjirokastër, dhëmbtë e bardhë, natën bëjnë dritë, si ingji, bilur të pastër! Në Sarandë, në Orikum, t´kam zënë pritë, vendit nuk luaj, si Hyjneshë moj në Butrothum, qesh një herë, sa t´duash t´paguaj! N´Kala t´Borshit o në Fterrë, t´lë takim, aty më ke, o më vrit moj, o më merr, n´gjirin tënd një natë të fle! Shkrumb u dogja prej sevdasë, Labja ime, shpirtë o xhan, jo as Flladi i Llogarasë, s´më flladitë, ti m´bën derman! Jo qebesa, as Syri i Kaltër, Syrit tënd s´i del përballë, t´puthë një herë moj, marrsha malet, seç më shkoi koka vërdallë!!! __________________________ Musa JUPOLLI PRISHTINA IME Prishtina na lindi në emër të gjeografisë n'literaturën e ndaluar shekuj me radhë aktorë e komedianë në skenë fshehurazi poeti unë n'aromë jete me shpresë thash Ulissysse në rikthim është Prishtina ime, Veç me lot do të krijohej një lum , lumi ynë Lumin na e shkelën, shkelën mbi lotët tanë Pranvera më nuk vjen, edhe zogjtë qajnë për muzikën tënde lum-loti i kryeqytetit tim Prishtina ime, Aty në kopshtin tënd një vashë e bukur Zonjë qytetare, elegante, pamje Hyjnore në shpirt mban ëndrrën tënde të bukur në qiellin e kaltër shpresa e humbur Prishtina ime, Lum-loti im kush ta zëri frymën Pema ka mbet në vetmi e vetme është dhe ka frikë se të gjitha shoqet ja kanë pre Poema ime, lumi e pema qajnë me lotët e mi ! SYTË E SAJ Sy të zezë, të mrekullueshëm mollëzat e qitura plot shpresënjë filozofi madhore bukuria e stilit, bukuria e gjuhës e këndshme deri në dehje rrudhat e rilindjes nga dielli i marrshëm një veshje e thjeshtë pranverash të vonuara pa dashur ta zbulosh bukurinë e pafundme si një fidanishte menafere
_____________________________________ Imri TRENA PËR TY JAM KOSTANDINI Për ty jam Kostandini, i ngritur prej balte, i rënduar nga betimi i fjalës së dhënë! Kostandin dhe Besnik. dy emra burrërie, me fjalën e shenjtë Besë, lidhur me një fije fisnikërie! DËGJOMË Nëse mendon se gënjej thuama, Nëse mendon se qaj, hesht Nëse sé di sa të dashuroj pyetmë Nëse të dhimbsem se jam vetëm Eja! ________________________________ Izri REXHA KUR LIND DIELLI Në mëngjes rrezja sikur fliste, Cilën dëshirë do ta nxitë sot? Një herë isha i dehur në mes të dyshimeve, Me unin tim në jetë në sfilitje… A do të shkoj këtë të diel në shëtitje Apo letë shkëlqejë një ide tjetër si kristal , Ah, ç’më ikte mendja te vendi im, Me fjalë magjie më ngucte një përjetim. Mundohesha ta ndal të harlisurin dyshim, Të mos e zgjoj të vjetrin ngacmim, Pa vetëdije dëgjoja zërin që thërriste, Nën lëkurën time të shqetësuar më nxiste... Cilën ndjenjë do ta mjaltos sot, Që kuptimi im larg të freskohet, Nga tregu i parë i ideve të ndahem, Apo e humba fatin, që në mëngjes sikur më zgjoi... Rruga, ishte e largët, nuk mundja të ndalem... Ishte një çast që më merrte të çmallem, Dhe përsëri sytë sikur nga gjumi hapa, Gjethet nga pemët fluturonin hapa-hapa...
MËSUESIT TIM, GËZUAR 7 MARSIN ! në çdo dritare varej një shkronjë, në çdo fjalë një fotografi, në çdo fjali një poezi, paragrafi ishte një tregim, nga ç‘do tekstë një histori, në çdo fletë vinte një jetë.. kujtoj mësuesin tim… sot që jeton në të vjetrën shtëpi.... unë bëj për të një urim, fjala mbeti te unë me vlerë… ___________________________ Besnik GASHI UNË QE BABËN E KAM DËSHMOR Atë ditë baba, Kur more pushkën, Me the: mos u merzit bir, Se do e fitojmë luftën! Edhe nese unë, me the; Nese do vdes për liri, Mos u merzit, bir, Se i lir do jetosh ti! Me the: më kurr, Nuk do kem nevojë gurbetin, Por, çka po ngjet tash, Me keta qe na udhëheqin?! Mua ndoshta nuk do me kesh, Por, shteti jonë do funksionoj, Asnjë t´varfer s´do ket, E gjithë çka do lulezojë! Po jo, babi im jo, Ti ike námshim, E mua nuk mu pre rruga, Prapë mergimtar, n´mergim! Ata që dje ishin më ty, Po fati mbetën gjall, Ato që i thanë n´betim, Sot thonë: ishin vetëm fjalë! Kur kujtoj fjalët e pleqve, Sa nuk me del flaka, Kur thonin: Atë që s'e vret lufta, E vret Paqa! Copa po dojn me u ba sot, Shokët e tu për karrigë, E neve s´na mbetët tjetër, baba, Vetë nga ky vend me ik! Ulur në gjunjë, Para varrit tand, babai im, Më fal qe më duhet prapë te ik, Rehati t´kerkojë n´mergim! Me zemër te thyer, Marr plaçkat n´dorë, Unë biri yt Kosovë, Unë, që babën e kam deshmor!
Mevlyde Mezini Saraçi, u lind më 15.12.1954, në Mitrovicë, në një familje qytetare me kushte mesatare ekonomike. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, ndërkaq studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Studimet master, Menaxhimi i Emergjencave i kreu ne Kolegjin Universitar “Biznesi” në Prishtinë. Në aktivitetin politik e humanitar është inkuadruar në vitin 1989. Në muajin mars të vitit 1998, është zgjedhur kryetare e Këshillit Komunal për Ndihma Emergjente në Gjakovë, për të strehuar të dëbuarit nga zonat e luftës dhe për furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vitin 1998-2000 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës. Për shkak të aktivitetit të saj politik e humanitar është burgosur nga policia serbe, në Gjakovë më 1 qershor 1998 dhe ka vuajtur dënimin në burgun hetues të Lipjanit deri më 4 dhjetor 1998. Është gruaja që i ka dërguar arkivolet në Drenicë, për Komandantin legjendar Adem Jashari, familjarët Jashari dhe të gjithë të rënët në Betejën e Prekazit. Para se të burgosej ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “At Gjergj Fishta” në Bishtazhin. Në vitin 2000-2001, ka punuar si zëvendës drejtoreshë në Drejtorinë për teknologji informative në Qeverinë Komunale në Gjakovë. Prej vitit 2001 - 2003 dhe 2006 - 2007, ka qenë Drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Gjakovë. Në vitin 2001- 2004 ka qenë Deputete e Kuvendit të Kosovës. Është shkrimtare dhe autore e librave: 1. “Sytë e Pranverës”- poezi, 2000 2. “Ndoshta më s’ka kuptim” , poezi për fëmijë, 2002 3 “Kur jeta duhej jetuar” 2003, roman 4.“Çelësi është diku larg”, 2004, poezi 5.“When life has to be lived” 2012, roman në gjuhën angleze 6.“Në rrugëtim me Yllka Domi”, bashkë autore, 2013 7.“Ditëlindja e nënës”, dramë për fëmijë, 2013 8. “Jeta është e pamatur” Përkushtime, 2015 9. “Ledhatim pritjesh”, Poezi, 2015 10.“Për ty”, Poezi, 2015 11.“Murana” roman, 2015 12.“Lot i zemrës “Poezi, 2016 13. “Panoramë e poetëve”,2016 14.“I flas heshtjes”, Poezi, 2016 15. “Ç‘faj ka vargu”, Poezi, 2017 16. “Dhembje që vret” Antologji, 2017 17. “Simfoni jete”, Poezi, 2017 18. “Nga këndi shkrimor”, 2018 19. “Oazat e shpirtit”, Poezi, 2018 20. “Përthekim kohësh” Poezi, 2018 Është anëtare e Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, 2002 2004, Është Ambasadore e Paqes Universale në Botë 2007, Qytetare nderi e Lushnjës Është shpallur “Gruaja shqiptare e vitit”, 2012, Vlorë Është anëtare e Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” Është kryetare e Qendrës Kombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova” Anëtare e kryesisë së Bashkimit të Shoqatave të Shkrimtarëve Shqiptarë
Është Veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! _____________
Epopeja e Prekazit Kushtuar heronjve Adem, Shaban e Hamëz Jashari Ky komb e ky popull vuan nga Serbia Po i plagosë e po na i vret djemtë e ri Vendin vend nuk po ia lë shqiptarit Me urti kuvendonte bacë Shabani Gju më gju në odë si babai me të bijtë Kurrë këtë tokë s’do t’ia lëmë shkaut Pleq e të rinj do të luftojmë për atdhe Besa besë në përqafim u besatuan Rrokën armët e dhanë kushtrimin Lajm i madh u përhapë në krejt vendin Komandant Adem Jashari priu i pari Sa shumë u frikësua shtriga Serbi Krejt në çelik u veshën shkijet E me tanke u drejtuan në Prekaz Menduan se e kanë të lehtë Por hasën në trima si shqiponja I madh e i vogël i gostitën me plumba Deri sa e shkrinë një batalion ushtarësh Bacë Shabani, Adem e Hamëz Jashari I dhanë shqelmin shtetit të Serbisë Shumë heronj dha kjo familje Ballë për ballë në luftë me një ushtri Sa shumë dhembje aq krenari shtoi Krejt Kosova në këmbë u ngrit I bashkuan fjalët për qëndresë Nuk lëmë kurrë pa u hakmarrë E pa e mbrojtur këtë vend të shenjtë Se për këto ditë linden trimat Të ngrehin pushkët për liri Kurrë s’do të na sundoj shkinia Atdheu ynë do të buzëqeshë në liri Prekazi u bë qendër e heroizmit Vend frymëzimi për çdo njeri Anembanë botës vijnë përkulen Në Prekazin e heronjve e heroinave Që ia sollën Kosovës lirinë Puhi kujtimesh Më miklon puhia e kujtimeve Kur fluturat sodisnin pranverat Me krahë lëmonin portretin tim Unë në kërkim të petaleve të luleve Mbështetur në rrënjë trëndafilash Nuk i ndjeja gjembat që gjembonin Pasi dehur isha nga kënga e bilbilit Përgjatë shëtitjes në peizazhin e blertë Praruar nga rrezet e arta të diellit Dashuria Dashuria ka katër stinë të lindjes Në secilën stinë dashuria lindë ndryshe Në pranverë me lule plotë aromë Në verë me vapën përvëluese Në vjeshtë lindja sjellë frytet e shpirtit E në dimër vjen si jorgan i bardhë Dashuria kur lindë nuk njeh moshë Përherë rilindë stinëve e nuk plaket Nuk vesh rroba as nuk mbathë këpucë Shëtitë botën e kthehet për një çast Fluturon qiejve me krahët e shpirtit Dashuria puthë foshnjat e sapo lindura Fëmijët bonjakë e të pashpresë Dashuria puthë ballin e vdekur të jetës Puthë vijën e horizontit zogjtë në fluturim Dashuria puthë sytë e etjes e të mallit Përkëdhelë plagët e nënave të pikëlluara Dashuria nuk ka ngjyrë aromë as sy Por i sheh i ndjenë i prekë poret e jetës Dashuria nuk blihet e as shitet në pazar Dashurinë e gjeni kurdo që ju dashuroni Vetëm në urrejtje nuk banon dashuria Dashuria lindë edhe kur lindja perëndon Mendime të krisura Në tavolinën e kujtimeve Përplasen mendime të krisura Hëna më zgjon nga ëndrra Ngrit gotën në dolli me yjet Etja ma zë frymën e më ngulfatë Shi me rrebesh i përplasë kohët Nga brendia e shpirtit nxjerrë hukamë As loti nga syri nuk pikon si më parë Në këtë natë të gjatë trishtimi Jeta merr pamjen e vjeshtës Thinjat e heshtjes plakin çastet Mbështetur në dritaren e vjetër Numëroj kockat e shekujve Duke arnuar shpresat e vonuara Oazat e shpirtit Mos fol për ëndrrat e krisura As puhinë e moteve të thinjura Fjalës mos ia shtrydhë palcën Lëri le të ndizen dritat e mallit Tuneleve të errëta të jetës Mos e shkel stinën e blertë Oazave të harruara të shpirtit Plagët shekullore mos mi prek Kullojnë vuajtje pritje pa fund Edhe ngjyrat e qiellit u grisën Nga oqean i vërshuar lotësh Dyert e hapura presin mëngjesin Se nata patjetër duhet të shkojë Ta përqafojë pjesën tjetër të globit Dritën e syve le të ma kthen agu Edhe pse kam drojë derisa të gdhin Por dua ta ndjej ditën e bardhë Të cilën e njohin vetëm engjëjt Pesëqind e pesëdhjetë vite Nga lartësia lavdia e pavdekësisë Gjergj Kastrioti hero i kombit Organizator i Kuvendit të Arbrit Prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës Në fuqinë e shpirtit njerëzor triumf Shkathtësitë dhunti hyjnore Legjendë mbete emblemë në histori Në mbamendjen tonë i gjallë prore Në muze ende shpata jote shkëlqen Përmendorja jote na përshëndet Ti që zbardhe vlerat e lirisë së kombit Ngrite lartë emancipimin evropian Jeh i shqipes në qiellin e dritës Na shoqëron nga do që shkojmë Ti që identifikohesh me Shqipërinë Kur ndalohet fjala Mornica hidhen në lëkurën e rryer Vetëm bebëzat e syve në heshtje flasin Në pikturën e shpirtit pikturoj dashurinë Ngjyrat akuarel rrjedhin qerpikut tim Bloza e ka kapluar pritjen e madhe Rrugët e zemrës shndërruar në labirint Këmbët zënë në rrjet merimange Aty ku fjala ndalohet vdesin ëndrrat E shtrigat me fshesa ndjekin shkronjat Pasi kohët u përzien me maskarenj Zvogëlohen shpresat e ritmit të vonuar Sa të shkrin bora e bulëzon gjelbërimi Plaket rrjedha e rrudhave të jetës Shën Tereza Dritë e diellit shkëlqeu në sytë e fëmijëve Kur iu hodhën në përqafim Shën Terezës Dashuria fluturoi me krahët e shqiponjës Humanizmi u shpërnda kudo nëpër botë Nëna e madhe i lumturoi skamnorët e uritur Me përqafimin e shpirtit duke i përkëdhelë Plagët e plasaritura ua mjekoj me vepra humane Që të jetojnë të gjithë të lumtur e të barabartë Lum shqiptarët që rritën një bijë kaq bujare Një shenjtëreshë që i përkulet mbarë globi Ti je shembulli më i mirë si shprehet dashuria Bijë nënë motër e çmuara Shën Terezë Ti yll drite e pashuar që jeton në përjetësi E lumja e Shenjta Nëna Terezë!
Poezi nga Mirko GASHI Populus Illyricus Populli e di kur duhet bërë kryq me tre e kur me pesë gishtërinj e kur të thuhet dova Ai më së miri të thotë s'ka përëndi të tjerë përveç meje Populli të thotë se s'ka kryeplak më të urtë se fshati Ai e ka meteorologjinë e vet në gjunjtë e pleqëve e të plakave kur ky yll apo ai gjendet këtu apo aty Populli di pse s'duhet përqeshur lumin për rrugën e tij gjarpërore rrjedhën mund ta gabojë ndonjë pikë po lumi kurrë 2.- pasi vetëm ai e di rrugën e vet vallen e popullit askush s'do ta mësojë as t'i marrë erë për një jetë kalimtare Kurrë mos humb besë ndaj Zotit tënd të ri beso e po të besoj në këtë aksiomë Populli e di se vetëm fëmijët dhe kafshët të duan pa hile Çdo fjalë që të thuhet për Popullin është e stërvockël Ai e ka çelësin për çdo rebus vetëm për të s'ka enigma Eu Ai di se cili mashkull i shtëpisë është për pazar e cili jo Ai e di mu si Luli i vocërr 3.- ku është hija e ku gjendet dielli kush është Mark kush Januz e kush Janus Populli e ka syrin të thellë sa një oqean populli të thotë se kënga është vaji i burrit se kështu e ka jeta Ai ka çka s'ka asnjë kryevepër s'e ka krijuar Dante Aligieri apo ndonjë tjetër po Ai i mjeri Për çdogjë që ke ndier mos beso as ti po populli e di Ai para se ta çapojë të njëmbëdhjetin hap dhjetë i ka kaluar Populli s'ka epiqendër të gjitha trojet e skajet e tij ashtu mund të quhen 4.- Populli të mëson me proverba ai të thotë: "I di Meta punët e veta"
Liria (Lumit,sugarir tim) Eu çfarë djali kam, eu çfarë Lumi kam. sa kafshata, sa një pëllëmbë s'e ka mjekrën s'ka as dhëmbë, mallkon yje, shkatërron yje Edhe në muajin e vet të tetë s'don të lidhet në djepin e vet. Ura e Maskatarit Ilan, ilan – na quanin asokohe në Gjilan e ne vërtetë ishim astritë nëpër pyje le e rritë S’ndodhte kjo në teatër ata pa maska të arit kudo nëpër Karadak derdhën gjak në çdo vatër Shkrepnin vetëtimat S’ndodhte kjo në teatër trishtoheshin jetimat rrufetë shkretëtonin mal e fushë ujin turbullonin një vetëtimë një rrufe një lis për toke një rrudhë e nënës loke trishtim – qumësht për çdo jetim Me dekada e tëhu në këtë urë kokat na ngulnin në hu Kjo urë s’u ndërtua me gurë po me lisa të prerë Pas çdo lisi të prerë zgjohej nga një erë më pare stuhi e pastaj puhi që ndjell pranverë Ilan, ilan – na quanin askokohe në Gjilan e ne vërtetë ishim astritë nëpër male le e rritë Në bebëzat e të parëve të mi u zgjua e bardha agmi pushka krisi u mboll lisi u zhduke ferri lëshoi kushtrimin Idriz Seferi. Kënga Unë kam këngë ti shtëpi dhe që të dy jemi poetë unë s'kam shtëpi as ti këngë që te dy jemi te shkretë mua fjalët më mungojnë ty me duar të tregojnë veshët myku m'i vërshoi në erë një thirrje e preka andaj cdo gjë mire u bë - ti ke shtëpi unë këngë dhe kështu që të dy jemi poetë Un’ e TI
Përhënie Në dreq të mallkuar me drapërin e hënës së re në rërë mjellmën e argjendtë e kanë prerë Mes brigjeve uji shtatë diej fundosi dy hëna nusërore varrosi Mjellma e zezë dhe ajo e bardhë mua më kerkojnë pas hënës së re të zi ose të bardhë Dhe mbaj në mend kur hëna bashkohet dhe hëna në det fundoset ai do të rritet tatëpjetë baticës Vdekja dhe jeta shetisin dorë për dore si binjakët që shkojnë në shkollë ujore për të mësuar pse vlon qumështi në gjirin e nënës qysh zgjohet deti në prehërin e hënës në baticë kërkojnë fytyrat tona të humbura e ti lule zhvisheshe ngadalë ata duruan të të shohin durimi është kufiri i menqurisë dhe çmendisë I përngjan hënës e nënës ai është limani i fundit i mirësisë O Zot droj se do t’i prejnë rrezet e Hënës si do ta luajë atëherë elegjinë për dëmin në lyrën time pa tela Hëna drapër korrte valët e detit Njeriun e pret korrja ai gjuan draprin e hënës Në krahërorin e jevgut e krisur hëna dënes Njëherë marama të bëhet e mbrama mbaron loja do të jetë Hëna do të ketë rreze të mbyllet syri të pushon goja. Hëna lëshoi rrjetën qyteti vazhdoi jetën Në prehërin e hënës sa e lumtur më ishte jeta edhe në shpirtin tim tashti zbriti bleta. E unë e hëna vajtojmë luajmë etida ç’u bë nisia Ku është Atlantida Troku i kalëfuqive buçet Korbat nëna e çalë hëna do të vyshken burbuqet Ji i gëzuar mos rri me lot sonte niset hëna e plotë Nëpër guaca po fle gaca sonte niset hëna e plotë. Nisja Vetëtimët vetëtuan rrufetë këngën e fundit kënduan E ti qetas rridhje dhe rriteshe rriteshe dhe rridhje nëpër kohëra dielli kujdesej për zërin dhe belin tënd Ti për bukuri kaptoje kodra dhe male për të përqafuar detin jetoje. Buzë lumit Sa të shkurtëra janë largësitë nganjëherë deri në breg të lumit Kur kitara therret lumi vlon peshqve zëri u shterret Ti për bukuri zgjon puhinë fjetur në flokët e së dashurës dhe ia lëshon frerët
Lumi që humbet Linde prej puthjes së zjarrtë të qiellit dhe tokës, në kohen kur Euridika krijoi shumë këngë dhe i këndoi, derisa Orfeu ishte në gjumin e gurtë, të fortë dhe të pastër si drita, të errët dhe të dendur si nata. Zvogëlimi i qiellit Qielli mbi ty u zvogëlua dhe bregu i tretë u sajua që të pajtojë dy të përçarë u skuq prej turpit pse i besove këngës së Euridikës kuptove se me të ajo Ofreun e vet e zgjon nga gjumi Xhelozia e ujit Kur lumin e puth përroi vdes aty ku bashkohet vdekja në ishull shndërrohet përrojet në lumë pajtohen pas puthjes së lumit dhe përroit nga syri fluturon feniksi dhe fluturon e fluturon nëpër kohë për një vdekje dhe një lindje lajmëron Kah po e shoh këtë lule O zot, im zot kah po e shoh këtë lule në të cilën vdekja dhe jeta shëtisin dorë për dore duke i kënduar oda ujit më është e qartë se duhet jetuar dhe duhet parë këtë mrekulli. ____________________________ Poezi nga Pano TAÇI HIJA
Në derën e një plake të thinjur trokita, ku shpirtin dikur pata nginjur e buzët përnrita.
E pashë, më pa, E njoha, ajo nuk më njohu. Stapi ku mbështes pleqërinë më ra. M'u bë se më tha: - Afrohu... Kur sy përdhe më pa, - S'më njeh, i thashë, pa kujtohu? A s'jam unë që shkëlqeja si një yll në sytë e tu?
Të rrahurat e zemrës bëra t'ia ndieja, asgjë, akull, m'u drodh shpresa kur më tha: Kush je, ç'të solli këtu? I thashë: - Ndjenja... Përdore më mori harresa të të bie në gju e shpirtin për ç'ti mardh t'ua ngroh. - Largohu, m'u përgjigj, s'të njoh.
Për ç'ka mendja me gënjehu, zemra m'u bë sopa-copa. Kuptova, nuk jam Odiseu e ajo nuk është Penelopa, që më tha: ç'pret kthehu... jeto harrimin me trishtimin e bukurisë së vrarë në sy.
Siç erdha nëpër tym, ika nëpër humbëtim nuk ish rinia, aty qe pleqëria.
JETË MORRI
Kur tokës, iu zvarrita si morri mbi kurriz, poshtë këmishës me arma më gjeti mua; tek kruhej, kur pickoja e bëja ta gudulis, më zu e me gas më vuri mbi thua.
Bëri të më shtypte, e s'më shtypi dot. lëkurën koha ma kish bërë prej guri. morr i uritur, kyçur në qeli të ndotë bënë çmos të ma shtronte lëkurën druri.
E tani, morr i plakur, them të bëj gjumë. e ç'lëkurë me plagë që kisha tej i hodha. poshtë këmishës së tokës, u lodha shumë, më shumë se ç'duhej, nëpër zhele u lodha.
Do shtrihem t'i kyç sytë e mi të vrarë, nga pagjumësia. Do fle pa andralla. kujdes, mos më zgjoni nga gjumi me të qarë se loti do m'i djeg të lodhurat kokalla.
Kujdes, ngrihem e ju tremb vurkollak si skelet golle pa asgjë përbrenda. të tjerë shushunja tokës i pin gjak, unë q'e giciloja të qeshte, iu rënda.
Si morr pa ngjyrë që zvarë, zvarë shkon nën këmishën e palarë të tokës, ku më vunë te sqetulla e saj ku djersa i kutërbon, më bëri të jetoj me përdhunë nga që e bëja të kruhet. Do shkoj të shtrihem të bëj gjumë O soi im i morrit, u lodha shumë, më shumë se ç'duhet.
Duke gicilisur tokën plakë: kam cimbisur helm e jo gjak.
Tiranë 31. 12. 2004
TAKIM PAS DIVORCIT
Tek çapiteshim ngadalë, bri për bri, stapërish... hidh një fjalë e digj një fjalë për një mall që larg na grish.
Bëm t'i ngjallnim ç'qenë varrosur thellë në shpirt, nja dy tri shpuza. fjalët që na qenë hirosur embëlsisht na i thesh buza.
E tek hidhnim këmbën zvarrë, për te fundi që s'kish fund, ajo burr tjetër kish marë, mua grua s'm'u gjend kund.
Diku udha u nda dysh tek e bëmë stapërish, stapërisht e shkarë shkarë. as u ndreq gjë, as u prish, e ne të dy prap sërish mbetëm ndarë.
MOS MA LEXO
Mike, mos ma lexo dhembjen në buzëqeshjen time. nuk dua t'ua bëj mbrëmjen t'iu mëkoj trishtime.
Mos m'i lexo sytë e thellë tek rrijnë në humbëtim. një dëshirë mallim ua ndjell ç'më do ky shpirti im.
Mos më thuaj, se u bësh së gjalli për ty pa pritur, unë. pa pritur ma erdhi malli që më ka djegur shumë.
EJA MIKE
Sa herë vjen çapkëni prill, çapkëne më bëhet shpresa, brezin nga mesi ia zgjidh malit, t'ia bëj rëkeza
Bredhi si qiri argjendi, na rri nën tyl të mjergullës. prill çapkëni, lisin çmendi kur gjirin ia puth pjergullës.
Eja mike, na fton prilli te ai vend q'u bë harim. atje ku këputet ylli porsi lot i syrit tim.
DJERSË MERGIMTARI
Vëllezër, argatë në dhe të huaj, pas punës këngës ia thoni pastaj. qan e qesh e ju klith brenga e juaj për këngën e djersës, qesh e qaj.
Vëllezër, argatë te vendi huaj, me mall në zemër, me derte në shpirt... mbrehur te qere pronarit si buaj ju ranë koçitë, në punë çdo ditë.
Kur vini për mall nga dheu i huaj, s'di si t'iu flas kur ndruat emër? ju shoh që ju ranë patkojtë si kuaj, me dregëza në shpirt, me plagë në zemër.
SYTË E SAJ
Kur hedh sytë në qiell, qielli vetëtin. Kur hedh sytë mbi tokë, toka psherëtin. Kur hedh sytë mbi mua, zemra shkrepëtin.
BËJ TA GJEJ
Kërkoj veten që s'e kam. A ma pa njeri? Dua të di cili jam me kaq plagë në gji.
Kërkoj veten, bëj ta gjej Thomëni, kush ma pa? Dhe n'e gjej, me dhëmbë e brrej. Brengat mua m'i la.
Kërkoj veten ku më humbi, në ç'udhë pa krye? Pa veten do më marrë lumi Pa veten jam hije.
DIMËR JASHTË E DIMËR BRENDA
Me bastun akulli ikën dimri nëpër udhë. ku shkel, tokës i kall frikën e drurët i rrudhë.
Qielli borën po e sit mbi male e fusha. del gjahtari t'i bëj pritë shapkës te gajusha.
Lodra e rrufesë gjëmon e zjarr i kall qiellit. reja me retë valëzon për inat të diellit.
Qershia me sy për dhe, nudo, mardh e tëra. bredhi flokëhalat i ngre me nfricë për gjelpëra.
Si një dimër këtë mbrëmje kallkan nëpër derte, pllaq e plluq iki mbi dhembje e s'di se ku vete.
PIKËLLIMI
Nuk di ç’mall zemrën ia sëmboi Tek thur romja flokun gërshetë. Aty buzë një përroi Ku çapitet këmba e lehtë. Shkoi e u mbështet te ftoi Ku qau me lot të zbehtë. SHORTI I HARRIMIT Poetit Isuf Luzaj
Fatlajthitur, Sizif ngaherë, me tokën nënë qepur mbi kurriz. Ah, katër copash ndarë edhe prerë, katër copash lidhur në një kërthizë.
Kjo gropë e lashtë, e sertë me acid, kush djall e nëmi që gjallesën vret? Në dhe të huaj fërgëllojnë dritë. Këtu gjithkush çmon veten mbret.
Oh, si na vret shorti i harrimit, s'e lamë ne shpatën të ndryshkej në myll. Eja tani në apelin e kujtimit, ç'demon portën me shul na e mbyll? __________________________________ Poezi nga Ndoc Gjetja AUTOPORTRET Vendbanimi: Ne lezhe me trup dhe mendjen emigrante ne yje. Profesioni: Thures enderrash dhe mbrojtes besnik i tyre. Gjendja civile: Mbetje teknologjike e administrates shteterore se nuk diti t'u jape perkuljet e duhura eproreve. Gjatesia: E majftueshme per te arritur nje dite mollen e ndaluar. Pesha: Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thene dhe e shkruar. Shenja te vecanta: Nje pentagram rrudhash me nota trishtimimi ne balle dhe nje mjeker e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj. Syte: Kafe me nuanca te turbullta pasionesh te djegura. Ngjyra: E erret per fshehjene skuqjes nga faje te lehta. Titujt: I dekoruar Njeri qysh ne diten e lindjes nga Nena. Bindjet: Njeriun ne jete e ben te lumtur vetem njeriu. Antipatite: Burrat me grada, grate me shume tule dhe miu. Simpatite: Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mances dhe Buda. Frikerat: Shendoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma. Besimi: Ne kryqin e tij qe e mban perdite ne shpine. Pasuria: Drita e mendjes me te cilen fitoj varferine. EPITAF PER VETEN Ketu prehet ai qe quhej Ndoc Gjetja i cili pati ardhur gabimisht ne bote nga vetja e tepruar nxirrte vjersha dhe gjithe njerezit i quante shoke Kur pa qe enderra kalkulohej me kompjuter kur pa se idealet rrezoheshin ne kolltuce kur jepte buzeqeshje dhe merrte skermitje zuri syte me dore dhe vendosi te ikte. Dhe shkoji e hyri ne manastirin e Unit te shpetonte shpirtin nga gjuheligat e lehjes Pastaj e percollen ne banesen e fundit me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhes. Ne çastin e mbrame nje hene e pergjakur e puthi ne balle dhe thirri "Nene" Mos kerkoni te dini per te me teper se iku sikur te mos kishte qene. LUTJE O Zot qe fatet tona ne dore i mbane Na ruaj nga shendeti trashaman na ruaj nga orekset e Sanco Pances na ruaj nga hija e rende e fames na ruaj nga faqeputhjet helmuese te Judes. na ruaj nga orteku rrenimtare i turmes na ruaj nga preardhja prej shimpanzese na ruaj nga thyerja e timonit te krese. na ruaj nga putra pushtetore e Njeshit na ruaj nga engjejt,na ruaj nga dreqerit. na ruaj perdite nga ftohja e miqesive na ruaj o Zot secilin prej te gjitheve une ruhem vete o Zot nga i ligu por ti me ruaj nga shoku dhe miku. DESHA Desha të hyj në zemrën tënde. U kërrusa, u kërrusa u bëra lëmsh sa një top por, prapë, e dashur zemra jote nuk më nxuri dot. Ndoshta dhe mund të hyja, por të them të vërtetën i krrusur s’mund të rrija brenda teje gjithë jetën. Zgjeroje zemrën ti! Më tepër! Më tepër! Dhe në qoftë se më nxe do të hyj patjetër. DASHURISË O perëndeshë e gjithëpushtetshme e universit mashkull-femër! Bëj c'të duash me veten time jam instrumenti yt i verbër. Në jetë më solle kaq shumë dhimbje dhe shqetësime pa mbarim po s'jam ankuar kundër teje as me gojë e as me shkrim. Të jam nënshtruar e të nënshtrohem gjersa në botë të jem i gjallë ndën pushtetin tënd të përbotshëm më pëlqen të jem skllav Ma ktheve gjuhën në përcartje më bëre plak me shpirt fëmijë herë më hodhe qefinin krahëve herë më ngrite gjer në yje. Më hidh në zjarr, në det, në ferr! Më hidh në baltë, më hidh në hon! Vec të lutem mos më lër... në atë vend ku ti mungon! ENDERR Mjaft ndejtem shtrire ketu ne bar! Mjaft u puthem e dhame perkedhelje! Eja te hipim mbi ate re te bardhe edhe te ikim nga kjo bote-lanete. Do zbresim ne planetin me te afert nuk prish pune pse je shtatzene atje do lindim dy binjake nje djale-yll e nje vajze-hene Le te jete planeti pa nje frymor! Te kete veç ujera, pyje, lendina Me puthjet tona do krijojme nje popull te madh sa Kina. KUR FILLOVA NGA PAK TË VDISJA Kur fillova nga pak të vdisja mbaj mend, ka qenë e enjte vetëm ty pranë të kisha rrije në këmbë dhe heshtje. Në sytë e tu binte borë, në fytyrë të fryu Veriu, unë te brinjët vura dorën ndjeva zemrën që mërdhiu. Mbaj mend si e hape derën si e tërhoqe pas dhe ike, në palcë të ëndrrës ndjeva therrje që më vonë m’u bë kronike. Që ta marr pakëz veten, vazhdimisht më sjellin njerëzit reçel të ëmbël buzëqeshjesh dhe ca pako me ngushëllime. Përherë i lë në tryezë pa hapur kompostot me lëng entusiazmi, e nuk i prek me dorë fare pjatat plot me optimizëm. Ah, e humba krejt oreksin nga ky virus shpirtëror i dhembjes, me zor flas e me zor qeshi më kot rri në tryezë të jetës. AH!
Ah, të kishim gëzime sa kemi partira, të kisha dhoma sa kemi ministra, të kisha shokë sa kemi shefa, të kisha miq sa kemi gazeta, të kisha mikesha sa kemi vetura, ah, të gjithë meshkujt të ishin burra të kishim njerëz sa kemi banorë veç qiellin lart të kishim epror. CURRICULUM
Është qytetar i Republikës së Dreqistanit i cili pati arritur t’i mund me radhë të gjitha ngasjet që i vijnë në jetë njeriut nga tulet e grave dhe paratë e pista. Ai qysh në rininë e tij të hershme pati ëndërruar të bëhet një ditë apostull, por mbeti një prift i thjeshtë province se ferra ia mori një ditë uratën. Sot i mbështjellur me muzgun e pleqërisë mban në dorë penën që e puth si kryqin sa herë çon meshë për ju dhe veten në Kishën Apostolike të Poezisë.
YLLI IM NUK NDIZET MË O vajzë që të njoha në jetë kaq vonë! Ti gjithë qenien time e bëre lëmsh, ti më ktheve shumë prapa në kohë ti më zbrite një tridhjetëvjetsh. Në vitin kur ti ke ardhur në jetë në botën time sapo hynte femra, e sheh ç’hon kohe kemi ndërmjet vogëlushja ime e madhe sa ëndrra? Më kot shpenzova pas një Dulqinje gjithë jetën time si Don Kishoti, dhe tash më shfaqesh krejt papritur si një tallje nga vetë Zoti. Sa herë ta ndiej frymëmarrjen afër, humbas në qiellin magjik të syve dhe befas përmendem e bie ashpër te rëndomësitë e jetës sime. Ti vjen dhe ikën dhe mbetesh ëndërr se ylli im nuk ndizet më me muzgun e moshës jam mbështjellë dhe ndihem i lodhur e dua... të flë. FUNDI I PRITJES Të shtunë piva shtatë kokrra valium që të zgjohem vetëm të hënë, se desha të dielën pa ty ta humb për ta kaluar sikur s’ka qenë. Po, ja, e hëna e shumëpritur erdhi e vonoi të ikë gati një shekull. Si të shpëtoj tani i shkreti nga kjo torturë që quhet Nesër? Dhe gjithë e marta u shtri mbi mua si oktapod me këmbë të ngrira ah, pres të më vijë e mërkura të më clirohet pakëz fryma. E mërkura më erdhi e iku më gjeti e më la pa ty, e enjtja zvarritej porsi kërmilli e premtja më solli vetëm shi. Edhe e shtuna m’u var në shpirt si një kornizë pa pikturë, shpresës që ti do vish një ditë tani po i vë përsipër një gur. KATËR QIRINJ Një dhembshuri e thellë e një mall i heshtur për ëndrrat e mërdhira nën pelerinë vetmie më shtynë sonte të ndez katër qirinj të vegjël përpara altarit të shenjtë të zemrës sime. Të parin e ndeza për takimin tonë të parë, të dytin e ndeza për të papërsëritshmen puthje, të tretin e ndeza për çastet e paharruara të prehjes në parajsën tënde të gjirit dhe të supeve. Të katëritn e ndeza gabimisht e dashur sepse ndoshta gabimisht u deshëm ose ndoshta gabimisht u ndamë pa e ditur përse nuk do të vdesim bashkë. INVERSIONE Tani Penelopa nuk e pret Uliksin as deri në të ngrysur të ditës në një Ëeek End ajo luan bishtin me të gjithë mëtonjësit dhe turistët. Uliksi arriti në brigjet angleze dhe s’do t’ia dijë nëse ka Itakë Circja e bukur për vete s’e bëri por një pronare e vyshkur, plakë. Edhe i biri, Telemaku, bastardi nuk e kërkoi deri në fund babanë, një ditë prej ditësh iu ftoh krejt malli kur takoi në rrugë Paranë. Një fat më i mirë se ky s’i qeshi as fisnikut dhe tersit Don Kishot, të ëndërruarën e tij, Dulqinjën e gjeti në lagjen Pigal, te një Seksshop. Dhe Sanço Pançës gomari i ngordhi gazetat dhanë lajmin që bleu një Benz te një tavernë ka shtruar globin kërkon ta futë të tërin në plënc. POETI Në çastin kur fjalën e zuri nën vete numri Shpirtin filloi të mos e nxinte trupi, Dhe plasi palca e jetës me një klithje të fortë Dhe doli nga e çara poeti i parë në botë. Ai gabimisht nuk lindi që të lëpijë me vargje Çizmet e të mëdhenjve e copëzat e mecenatëve, Dhe gabimisht nuk rron e gabimisht s’do të vdesë Me prapanicën mbi karrigen e karrierës. Ai erdhi që të kryejë porosinë e madhe të shpirtit Me alkiminë e fjalës të shkrijë gurët e Sizifit, Ai është heshtja e rëndë që do të mbytet me fjalë, Ai është lufta e dritës me të kundërtën e saj. Ai është boshti i Qenies që kërkon të mbushet, Ai është faqja e virgjër që dëshiron të puthet, Ai është çasti i ri që nuk përsëritet kurrë, Ai është plak, fëmijë, grua, djalë dhe burrë. Ai është shurdhëria e verbër që kërkon veshë dhe sy Ai është malli yt për mua dhe malli im për ty, Ai është vera në dimër dhe pranvera në vjeshtë, Ai është ai që s’e dimë kush është. PLEQËRISHTE Më në fund u plakëm grua, siç e sheh dhe vetë me thinja të bardha e rrudha na mbushi kohë e sertë. Dhe shëtitjet i rralluam nëpër dhomë vijmë përqark, dhe në vend të tyre shtuam kollën dhe kafenë me pak. Sa më ka marrë malli, grua të zemërohem qoftë dhe kot, si dikur atje tek udha kur të shihja me një shok. Ne kemi vite që pasqyrën e përdorim shumë rrallë se kemi sytë e njëri-tjetrit fytyrat tona për t’i parë.